Mirësitë dhe sevapi i Haxhit

Pyetje:”Duam të dimë mirësitë, sevapin dhe dobitë e haxhit, të cilat ceken në Kuranin famëlartë dhe në traditën profetike. A ka sevap më shumë shpenzimi i pasurisë për Haxhin sesa shpenzimi për çështje të tjera jetësore? Zoti ua shpërbleftë me të mira.”

Përgjigje:”Mirësitë e Haxhit janë të shumta dhe sevapi e dobitë të mëdha. Të shpenzosh pasuritë për të kryer Haxhin është ekuivalente me shpenzimin e pasurisë në rrugë të Zotit.

Thotë Sheh Atije Sakr – Zoti e mëshiroftë – ish drejtues i komisionit të fetvave në Ez’her:”Mirësitë e Haxhit janë të shumta dhe manifestohen qartë në urtësinë për të cilën Zoti e ligjëroi këtë ritual. Thotë Zoti në Kuran:”

“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (Haxh, 27-28)

Dobitë që ceken në ajetin e mësipërm janë të shumta, dobi fetare dhe dobi jetësore të banorëve të Mekës të cilat rrodhën si përgjigje e lutjes së Ibrahimit a.s:”

“O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37) si dhe të haxhilerëve dhe të gjithë myslimanëve të tjerë.

Haxhi i forcon lidhjet e raportet mes Zotit dhe robit të Tij, me telbijen, përmendjen e Zotit në ritet më të rëndësishme, tavafin përreth Qabes, puthjen e Gurit të Zi i cili përfaqëson të djathtën e Zotit me të cilën Ai përshëndet krijesat e Tij.

Gjatë Haxhit, njeriu përjeton kulmin e thjeshtësisë dhe modestisë. Transmeton imam Ahmedi se Zoti i lartësuar krenohet para melekëve Ditën e Arafatit duke u thënë:”Shikoni robërit e Mi, që kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur dhe nga vende të largëta. Jini dëshmitarë se i kam falur.”

Kryerja e Haxhit e lidh besimtarin me tokën ku u lind Profeti a.s, i kujton atij ngjarje plot kuptim. Haxhi është një faktor i rëndësishëm i unitetit mes myslimanëve. Për mirësitë dhe vlerat e Haxhit, thuhet se:

Është vepra më e mirë, ose ndër veprat më të mira dhe me peshë. Transmeton Ebu Hurejre, se Profeti a.s u pyet:”Cila është vepra më e mirë?” Profeti a.s u përgjigj:”Besimi në Zotin dhe profetët e tij. Mandej është lufta për çështjen e Zotit dhe një Haxh i pranuar.”

Në hadithin e Taberiut, ceket shembulli i një personi të sëmurë që nuk merr dot pjesë në luftë, Profeti a.s i thotë:”Kryej Haxhin i cili nuk ka as gjemba.”

Kurse në një hadith të transmetuar nga Nisaij, Profeti a.s thotë:”Xhihadi i të moshuarit, të sëmurit dhe gruas, është haxhi.”

Transmeton imam Buhari dhe Muslim, se Aisheja e pyeti Profetin a.s:”Ne (gratë) e mendojmë xhihadin si veprën më të mirë. Përse të mos marrim pjesë edhe ne në xhihad (luftë)?” Profeti a.s i përgjigjet:”Për ju xhihadi më i mirë është haxhi i pranueshëm.”

Së dyti: Haxhi është ritual që fshin gjynahet. Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi:”Kush kryen Haxhin, nuk flet fjalë banale dhe nuk vepron akte të turpshme, kthehet si ditën që e ka lindur nëna.”

Ditën që pranoi islamin Amr ibnul As, Profeti a.s i thotë:”A nuk e dije se Islami fshin gjithçka që është vepruar më parë, po kështu hixhreti dhe Haxhi i pranuar?!”

Në një hadith të transmetuar nga Nisaij dhe Tirmidhij, Profeti a.s thotë:”Kryeni Haxhin dhe Umren herë pas here, pasi ato largojnë fukarallëkun dhe gjynahet, ashtu siç largon zjarri ndryshkun e hekurit, floririt dhe argjendit. Një Haxh i pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit. Haxhilerët dhe vizituesit e Qabes janë miqtë e Zotit, i cili i ftoi dhe ata iu përgjigjën. Nëse ata i kërkojnë falje, Zoti do i falë.”

Lidhur me të hollat që shpenzohet për Haxh, imam Ahmedi transmeton një hadith ku Profeti a.s thotë:”Shpenzimet për Haxhin, janë ekuivalente me shpenzimet në rrugë të Zotit, një dërhem shpërblehet me shtatëqind syresh.”

Zoti e di më mirë.