Mjeti më popullor i ditëve të fundit në Korenë e Jugut

“Çantat e luftës”, që do të përdoreshin në rastin e një sulmi bërthamor, po fitojnë popullaritet në Korenë e Jugut, mes kërcënimeve të vazhdueshme të Kim Jong-un.

Kërkesa për to është rritur aq shumë, sa kërkimi në “Youtube” për çantat e luftës shfaqi 7.400 rezultate me video, që tregojnë se çfarë përmbajnë ato.

Komediania Kang Yoo-mi krijoi një video të tillë, të titulluar “Kam blerë një çantë lufte”, e cila ka marre 560 mijë klikime.

“Unë nuk mund të ndërtoj një vend ku mund të mbrohem nga bombat, por të paktën mund të bëj disa përgatitje”, ishin fjalët e saj.

Çanta përmban produkte të tilla si qirinj, një letër dhe laps, shishe uji, shirit, doreza, ushqim të paketuar, veshje të ngrohta, kuverta dhe maskë gazi.

Disa banorë të Koresë së Jugut mendojnë se videot mund të ndihmojnë në edukimin e qytetarëve mbi atë se çfarë mund të bëjnë në rastin e një lufte, ndërsa pesimistët thonë se një çantë e thjeshtë nuk do të hyjë në punë, nëse një bombë bërthamore do të hidhej në vend.