Moska: Kemi shkatërruar 2.119 objekte të infrastrukturës ushtarake në Ukrainë

Igor Konashenkov

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mori kontrollin e një baze ushtarake në rajonin Herson të Ukrainës.

Në një deklaratë të bërë nga ministria, u raportua se ushtarët rusë morën kontrollin e bazës ushtarake ukrainase pranë fshatit Radensk në rajonin Herson.

“Ushtarët ukrainas braktisën me shpejtësi pozicionet e tyre, duke u larguar nga baza me automjete dhe armë ushtarako-teknike”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i Ministrisë, Igor Konashenkov tha se 2.119 objekte të infrastrukturës ushtarake janë shkatërruar në Ukrainë.

Konashenkov tha: “Që nga fillimi i operacionit, 2.119 objekte të infrastrukturës ushtarake të ushtrisë ukrainase janë shkatërruar. Këto përfshijnë 74 qendra komandimi dhe komunikimi, 108 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore S-300, Buk M-1, Osa dhe 68 stacione radari”.

Duke theksuar se 69 avionë luftarakë u neutralizuan në tokë dhe 21 avionë luftarakë në ajër, Konashenkov vuri në dukje se u shkatërruan 748 tanke dhe automjete të blinduara, 76 raketahedhës me shumë tyta, 274 artileri dhe mortaja, 532 automjete speciale ushtarake dhe 59 mjete ajrore pa pilot.” /trt