Moszbatimi i vendimeve për Manastirin e Deçanit, reagojnë shtetet e Quint-it

Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije se autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e të dy vendimeve, përfshirë atë të vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit.

Kushtetuesja me këtë rast ka vendosur të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim.

E ndaj këtij vendimi kanë reaguar shtetet e Quint-it përmes një deklarate për media, të cilat e kanë vlerësuar si shqetësuese faktin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara.

Deklaratë nga shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara:

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e marrin parasysh dhe mirëpresin deklaratën unanime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 24 shtator lidhur me moszbatimin e vendimeve të mëhershme të saj, përfshirë edhe të vendimit të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Është shqetësuese se Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara.

Siç është theksuar në deklaratën e shteteve të Quint-it të datës 19 maj, respektimi i sundimit të ligjit është obligim i të gjitha qeverive. Ne e nxisim fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë me zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja e Kosovës për sundim të ligjit dhe gjyqësor të pavarur bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht mospajtimeve politike.