Reshjet e dendura të borës, temperaturat nën zero dhe erërat e forta që kanë përfshirë Gjermaninë që nga fillimi i javës po vazhdojnë të shkaktojnë probleme në jetën e përditshme, duke ndikuar veçanërisht në transport dhe duke shkaktuar aksidente, transmeton Anadolu.
Shërbimi Meteorologjik Gjerman paralajmëroi se kushtet e rënda atmosferike, të njohura si “Stuhia Elli”, pritet të përkeqësohen gjatë fundjavës, me temperatura që në disa rajone parashikohet të zbresin deri në minus 17 gradë Celsius.
Në një deklaratë, Hekurudhat Gjermane njoftuan se të gjitha shërbimet hekurudhore në rajonin e Hanoverit janë pezulluar deri të paktën në mesditën e së premtes për shkak të motit të keq.
Kompania theksoi se, meqenëse ndërprerja prek një korridor të rëndësishëm hekurudhor, shërbimet e udhëtimeve në distanca të gjata në Gjermaninë veriore aktualisht nuk janë të mundshme, përfshirë linjat Berlin–Nordrhein-Westfalen dhe Berlin–Hamburg.
Ndërprerje janë raportuar edhe në transportin publik lokal, me transportin urban të pezulluar pjesërisht ose plotësisht në disa zona.
Për shkak të “Stuhisë Elli”, udhëtarët e trenave në rajonin federativ Baden-Württemberg janë paralajmëruar të presin vonesa dhe anulime deri të shtunën.
Në Bavari, një shofer 52-vjeçar humbi jetën pasi humbi kontrollin e automjetit në një kthesë të rrëshqitshme.
Pranë qytezës Ziesar, në autostradën A2, një makinë ka rrëshqitur në rrugën e ngrirë, është përplasur me barrierat dhe më pas me një kamion, duke lënë tre persona në makinë të lënduar rëndë.
Autostrada në drejtim të Berlinit u mbyll për disa orë pasi rreth 500 litra karburant dizel u derdhën në rrugë nga automjeti.
Ndërprerje të mëdha të trafikut u raportuan gjithashtu në rrjetin e autostradave në rajonin e Braunschweigut, pasi kamionët bllokuan rrugët.
Policia ka paralajmëruar drejtuesit e mjeteve të shmangin udhëtimet, përveç rasteve absolutisht të domosdoshme.




