Moti i keq në Shqipëri, vazhdon angazhimi i autoriteteve

Situata nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit në Shqipëri po shkon drejt normalizimit, ndërsa autoritetet vazhdojnë angazhimin në terren për evidentimin e dëmeve dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur nga përmbytjet, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi publikuar sot nga Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë kryeministrit të Shqipërisë, rreziku kryesor nga lumi Vjosë në Vlorë dhe Fier është në ulje, nga zvogëlimi i prurjeve dhe tërheqja e ujërave.

“Në përgjithësi moti ka ardhur drejt përmirësimit. Aktualisht deri tani janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. Gjenden të përmbytura 10,217 ha tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 ha me prani uji. Banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura janë 3,337 në mbarë vendin. Rrugët janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut. Gjithsesi, përmbytjet kanë shkaktuar dëme permanente në infrastrukturë, si prishjen apo dëmtimin e 28 urave dhe shumë pjesë aksesh rrugore”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rininë ka njoftuar se nesër procesi mësimor do të fillojë në të gjithë vendin, me përjashtim të disa shkollave që janë dëmtuar gjatë përmbytjeve.

Ndërkohë vazhdon angazhimi në terren i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për të ndihmuar banorët në zonat e rrezikuara. Gjithashtu janë angazhuar për të ndihmuar banorët edhe qindra forca policore të shpërndarë në gjithë territorin e vendit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë në buletin e publikuar sot ka njoftuar se në orët në vazhdim të ditës së sotme dhe për ditën e nesërme janë hequr paralajmërimet për vazhdimin e përmbytjes në qarqet Fier dhe Vlorë, ndërsa për pjesën tjetër të territorit nuk parashikohet rrezik i shtuar nga përmbytjet e lumenjve. Sipas këtij instituti reshjet sot dhe nesër do të vazhdojnë, por me intensitet më të dobët.

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit reshjet e dendura të shiut përfshinë qytetet Tiranë, Kukës, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë, Fier, etj, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët nga zonat e përmbytura.