MPJ deklarohet për aksidentin e kosovarëve në Austri: 7 nga të lënduarit janë liruar nga spitali

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është deklaruar lidhur me aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm në Austri, ku si pasojë raportohet të jenë lënduar 20 qytetarë nga Kosova.

MPJD tha se përmes ambasadës së Kosovës në Vjenë janë informuar lidhur me aksidentin e autobusit që po barte udhëtarë nga Kosova drejt shtetit të Austrisë.

“Ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës tonë për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre. Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital.”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu u tha se Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg dhe se lidhur me detajet shtesë do të jap detaje ndërkohë.

“Deri në këtë fazë mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. MPJD do t’ju mbajë të përditësuar në vazhdimësi për rastin”, u tha tutje nga MPJD.