MPJ e Turqisë: Shpifjet e zyrtarëve izraelitë kundër presidentit Erdoğan nuk mund të mbulojnë krimet e tyre

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka deklaruar se “Shpifjet e pabaza kundër presidentit tonë nga Benjamin Netanyahu dhe Eli Cohen, të cilët shqetësohen për shprehjen e të vërtetës, nuk do të mund të mbulojnë krimet e tyre”, transmeton Anadolu.

MPJ e Turqisë bëri një deklaratë me shkrim lidhur me “Shpifjet e pabaza të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Jashtëm, Eli Cohen kundër presidentit Recep Tayyip Erdoğan”.

Në deklaratë thuhet se zyrtarët izraelitë nuk kanë të drejtë të flasin për ligjin pasi ata kanë “hyrë në faqet e errëta të historisë me mizoritë dhe masakrat” që kanë kryer ndaj popullit të Palestinës.

“Shpifjet e pabaza kundër presidentit tonë nga Benjamin Netanyahu dhe Eli Cohen të cilët shqetësohen për shprehjen e të vërtetës, nuk do të mund të mbulojnë krimet e tyre. Zyrtarët izraelitë të cilët tashmë prej shumë kohësh e kanë humbur legjitimitetin e tyre në ndërgjegjen njerëzore, nuk do të mund ta tërheqin vëmendjen në drejtim tjetër dhe nuk mund t‘i mbulojnë krimet që ata kanë kryer para syve të gjithë botës duke bombarduar spitalet dhe duke vrarë gra dhe fëmijë”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratën e ministrisë turke thuhet se “Nxitësit dhe autorët e këtyre krimeve kundër njerëzimit, që kanë shkaktuar indinjatë të thellë në opinionin publik botëror, do të gjykohen herët apo vonë. Turqia do të vazhdojë të kundërshtojë masakrën në Gaza dhe të mbështesë kauzën e drejtë të popullit të Palestinës”.