MPJD mbyll Qendrën Kulturore në Stamboll, bashkatdhetarët atje habiten

Shqiptarët në Stamboll, por dhe në Suedi dhe Belgjikë, tani e tutje nuk do të mund të mësojnë gjuhën e tyre amtare dhe të zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore. Kjo pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka marr vendim të mos vazhdojë pagesën e qirasë për qendrat kulturore shqiptare.

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, shqiptarët e Turqisë, do të duhet të gjejnë lokacione tjera për t’u bërë bashkë.

Kjo pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka marrë vendim që më mos t’a paguajë qiranë e objektit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll.

Shqiptari që jeton në Turqi, Qamil Bytyqi, habitet me këtë vendim, derisa thotë se pasojat do të jenë të mëdha.

Siç thotë ai shumë të rinj shqiptarë do të mbesin pa e mësuar gjuhën shqipe.

Bytyqi kritikon qeverinë aktuale. Thotë se në Qeverinë Kurti I, u mor vendimi për largim nga puna të punëtorëve të qendrës. E gjatë mandatit aktual, për ndërprerje të pagesës së qirasë.

Kritikë ndaj Qeverisë për të njëjtën arsye po e jep edhe deputeti i pushtetit, Haki Abazi.

Ai thotë se e sheh me shqetësim vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Televizioni i ka dërguar pyetje MPJD-së për të kërkuar një sqarim rreth këtij vendimi, por që deri në publikimin e kronikës nuk ka kthyer përgjigje.

Në vitin 2013, shteti i Kosovës, kishte hapur tri qendra kulturore shqiptare. Përveç Stambollit, edhe dy qendrat tjera do të mbyllen ajo në Suedi dhe Belgjikë.