MSh konfirmon se një 69-vjeçar nga Dragashi dyshohet se është prekur nga Lija e Majmunit

Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Lijën e majmunëve (Monkeypox).

Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit. Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK me datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile.Po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.

Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Hollandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara.

Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK. Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK thonë se për çdo informatë të re, opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata është e qetë dhe stabile.