Musk thotë se Tesla synon të prodhojë 200 mijë njësi në vit të kamionçinës Cybertruck

Tesla po synon të prodhojë 200 mijë njësi të Cybertruck në vit, tha të martën shefi ekzekutiv, Elon Musk.

Kompania kishte thënë më herët Tesla kishte kapacitetin për të prodhuar më shumë se 125 mijë Cybertrucks në vit, derisa Musk shtoi se potenciali ishte për ta çuar numrin në 250 mijë deri në vitin 2025.

Shitjet për kamionçinën e shumëpritur do të fillojnë më 30 nëntor, gati katër vjet pasi u prezantua nga Musk në një event në Los Angeles.

Në podkastin “Joe Rogan Experience” që u publikua të martën, shefi i Tesla-s përsëriti se sa e vështirë është të prodhohej ky model.

“Ne po synojmë të bëjmë rreth 200,000… ndoshta pak më shumë, por thjesht nuk mund të theksoj mjaftueshëm se prodhimi është shumë më i vështirë se dizajni fillestar”, tha Musk për Cybertruckun.