Myftiu Tërnava vizitë zyrtare në Katar

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava sot ka nisur një vizitë zyrtare me ftesë të ministrit për vakëfe dhe çështje fetare – Gaith Al Kawari, në kryeqytetin e  Katarit,  Doha.

Në takim me ministrin  Al Kawari,  Myftiu  Tërnava edhe kësaj radhe falënderoi qeverinë dhe popullin e Katarit për përkrahjen dhe ndihmën që i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj gjatë dekadave të fundit. Më pas Myftiu e njohu ministrin me projektet  dhe sfidat që ka Bashkësia Islame e Kosovës, duke veçuar vështirësitë që kishe Kosova në përgjithësi e BIRK-u në  veçanti gjatë ballafaqimit më pandeminë globale COVID-19. Në këtë vazhdë Myftiu Tërnava  falënderoi  Qeverinë e Katarit për ndihmat e ofruara Kosovës gjatë pandemisë.

Myftiu Tërnava dhe ministri Al Kawari biseduan për mundësinë e financimit të projekteve të BIRK-ut që kanë të bëjnë me vakëfet dhe projektet që i përkasin rregullimit të infrastrukturës së BIRK-ut.

Kurse Ministri për vakëfe dhe çështje fetare – Gaith Al Kawar, falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën dhe çmoi kontributin e Myftit Tërnava që në Kosovë të ketë paqe, tolerancë e harmoni ndërfetare dhe po ashtu  shfaqi interesimin e tij  që  Ministria e Vakëfeve e  Katarit në të ardhmen do të rris bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovës.