Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm në akuzën për keqpërdorim

Ka filluar procesi gjyqësor në rastin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-ushtruesi i drejtorit të prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dhe avokati Isuf Zejna. Ata akuzohen për veprat penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është deklaruar “plotësisht i pafajshëm”. I akuzuari Isuf Zejna nuk e ka pranuar fajësinë. Ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ka pranuar propozimin e prokurorisë për pranimin e fajësisë dhe rekomandimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit.

Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu e propozoi dënimin e rekomanduar nga prokuroria.

“Bazuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë për të akuzuarin Ymer Dragusha, konsiderojmë se e njëjta është e lidhur ne përputhje të plotë për 4 vepra penale te keqpërdorimit të detyrës zyrtarë në bashkëkryerje me të pandehurin Nagip Krasniqi e arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme që ky pranim fajësie është bërë në mënyrë vullnetare në konsultim me mbrojtjen dhe anën tjetër me të gjitha provat materiale dhe jomateriale që mbështet aktakuza. I pandehuri Ymer Dragusha është pajtuar me llojin e dënimit të rekomanduar nga ana e prokurorisë dhe rregullimet tjera që janë me këto marrëveshje. Për pikën 1 është rekomanduar dënimi me kohëzgjatje për 8 muaj, për pikën 2 në kohëzgjatje 6 muaj, për piken 3 me 6 muaj e veprën penale nga dispozitivi i katërt 6 muaj, e që me dënim unik është llogaritur me 2 vjet, i cili nuk do të ekzekutohet, nëse i cili pandehuri përmbush këto kushte. Kushtëzimi vie ne detyrimin e tij që të plotësojë detyrimet e tij si dëshmitar bashkëpunues e datës 19 maj 2023. I propozoj ta shpall fajtor dhe ta dënoj më dënimin e rekomanduar”, tha Fejzullahu.