Namazi kënaqësi dhe energji, jo barrë

Pasi jemi në kohën kur kujtohen mësimet nga Israja dhe Miraxhi i Pejgamberit a.s., po ndalemi pak te tema, ndoshta kryesore e këtij udhëtimi, te namazi.
Në këtë udhëtim madhështor, që e bëri njeriu më madhështor në histori, për tek i Madhërishmi Allah, u caktua të kryhet pesë herë në ditë një obligim, që po ashtu është madhështor. Vetë fakti se kush e bëri obligim, koha dhe udhëtimi në të cilin u bë obligim namazi, flet shumë për madhështinë dhe rëndësinë e namazit tek Allahu i Madhëruar.
Të shumta janë ajetet dhe hadithet që flasin për obligueshmërinë dhe vlerën e namazit, por po i përmendim vetëm dy për ta ilustruar dhe për t’u fokusuar pastaj tek ana tjetër e namazit.
Thotë Allahu i Madhëruar: “Robërve të Mi, të cilët besuan thuaju: “Të falin rregullisht namazin…” (Ibrahim: 31)
Ndërsa Muhammedi a.s. ka thënë:
“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): Dëshmia se s’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi në Shtëpinë (e Shenjtë) dhe agjërimi i Ramazanit.”
Por, a thua vallë namazi është vetëm obligim apo është edhe kënaqësi dhe energji për ne gjatë jetës?!
Sigurisht që është edhe kënaqësi dhe energji nëse e falim ashtu siç duhet. Të shumta janë argumentet që e argumentojnë këtë. Ja disa prej tyre:
 Siç e dimë, namazi konsiderohet takimi ynë me Allahun e Plotfuqishëm dhe si i tillë, sa herë që kemi takim me Të, trupi dhe shpirti ynë fiton një energji të re, siç dëshmon edhe ky namaz i xhumasë, ku të gjithë dalim më të lehtësuar e më të relaksuar sesa para këtij namazi.
Pejgamberi a.s. thoshte: “Më është bërë kënaqësia e syrit tim në namaz.” (Nesaiu, sahih)
Po ashtu edhe muezinit të tij, Bilalit r.a. i thoshte: “O Bilal, thirre ikametin! Na qetëso me të (namaz).” (Ebu Davud, sahih)
Pra, namazi na qetëson dhe na mbush me një energji të re ashtu sikur që zbardh dita pas errësirës, dhe kjo ndoshta është arsyeja që i Dërguari a.s. namazin e quante dritë.
 Fakt tjetër është se namazi shkarkon njeriun nga energjia negative, e cila kohë pas kohe e mbërthen trupin dhe shpirtin tonë. Allahu i Gjithdijshëm dhe i Urtë, i Cili çdo gjë e vendos në vendin e duhur, në kohën dhe mënyrën e duhur, nuk e caktoi sa herë të ushqehemi gjatë ditës, por e la që secili njeri, sipas nevojave të tij, por, nga ana tjetër, na e caktoi pesë herë në ditë ta falim namazin në kohë të ndryshme, nga mëngjesi deri në mbrëmje, për të na shkarkuar nga kjo energji negative. E ka ditur i Gjithdijshmi se ne kemi nevojë pesë herë në ditë, në ato kohë të ndryshme, që të pastrohemi dhe të mbushemi me energji pozitive për t’i përballuar sfidat dhe sprovat e jetës.
Pikërisht në ajetin ku na obligon të marrim abdes kur të falemi, në fund të tij Allahu xh.sh. thotë: “…Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi juve, por dëshiron t’ju pastrojë ju dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.” (el-Maide: 6)
 Allahu xh.sh. përmes Pejgamberit a.s. na ka treguar se si të falemi, madje edhe kur të jemi sëmurur e po ashtu Allahu xh.sh. kërkoi nga ne që ta falim namazin edhe në gjendje lufte, në fushëbetejë dhe zbriti ajet për këtë çështje, jo pse Allahu është në zor për namazin tonë, por, sepse ne jemi ata që jemi në zor dhe kemi nevojë edhe për më shumë energji dhe fuqi shpirtërore në raste të tilla. Për këtë e shohim se edhe Pejgamberit a.s., kur i vështirësohej ndonjë çështje, shpejtonte për te namazi duke zbatuar fjalën e Allahut xh.sh. “O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim e me namaz…” (el-Bekare: 153)
 Falja e namazit si duhet gjithashtu na jep forcë dhe energji që të largohemi nga veprat e liga dhe të shëmtuara, siç thotë Allahu xh.sh.: “…fale namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat…” (el-Ankebut: 45)
Pra, siç po e shohim, namazi nuk qenka barrë që duhet hequr nga shpina, por qenka kënaqësi që shijohet dhe energji pozitive që fitohet karshi sfidave, sprovave dhe mëkateve. Por, nëse dikush nga ne nuk e ndien kështu, nëse ndonjërit prej nesh i është bërë barrë e jo lirim nga barra e nga brengat, atëherë le ta rishikojë dhe përmirësojë namazin e tij, sepse, siç e pamë me argumente, problemi nuk mund të qëndrojë te namazi si namaz në asnjë mënyrë, por qëndron te qasja jonë ndaj tij dhe forma si e falim atë.
Ja disa këshilla në pika të shkurtra si ta shijojmë namazin më shumë:
• Ta duam dhe të lidhemi më shumë me Allahun xh.sh. jashtë namazit, kjo do të reflektojë në mënyrë automatike në namazin tonë.
• Të largohemi më shumë nga mëkatet, sepse ato janë helmim dhe, sikur organizmi kur helmohet disa ditë e nuk e ndien shijen e ushqimit, ashtu edhe zemra nuk e ndien kënaqësinë e ibadetit.
• Ta kujtojmë se më kë po takohemi në namazin tonë, me të Përkryerin, Zotin tonë, Zotin e gjithësisë. E ku ka takim më madhështor?
• Të mundohemi të falemi me përkushtim, mos të mundohemi ta heqim qafesh namazin, por të kënaqemi në të dhe me të.
• Ta kujtojmë shpërblimin që na pret dhe takimin me Zotin në botën tjetër. Ky qëndrim i mirë këtu në namaz është një shenjë dhe përgëzim që edhe në takimin atje do të jemi mirë, inshaAllah.
Allahu na bëftë prej atyre që e falin namazin si duhet, prej atyre që namazi ua ndriçon jetën e kësaj bote dhe botës tjetër, prej atyre që kënaqen me takimin e Allahut xh.sh. në këtë botë dhe botën tjetër.

Nga: Këshilli i Bashkësisë Islame – Vushtrri