Ndikimi i shtypjes së lartë të gjakut në tru dhe në kujtesë

Humbja e kujtesës është një gjendje që trupi mund ta zhvillojë për shkak të shumë sëmundjeve.

Duke filluar që nga skleroza, Alzheimeri e deri te llojet tjera të demencës që po përhapen me shpejtësi vitet e fundit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, sot në botë ka rreth 50 milionë njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje.

Teksa shumë studime kanë treguar se është më e përhapur te femrat, kjo sëmundje mund të jetë e lidhur ngushtë dhe me disa procese të tjera të trupit.

Në këtë artikull AgroWeb.org tregon se si ndikon presioni i gjakut në zhvillimin e demencës apo “sëmundjes së harresës” ndër vite.

Lidhja mes dy sëmundjeve

Shtypja e gjakut dhe ndryshimi i tij përgjatë viteve mund të sjellë një sërë pasojash. Kështu ndodh edhe me zhvillimin ose jo të sëmundjes së demencës.

Ekspertët thonë se ka një lidhje domethënëse mes hipertensionit apo presionit të lartë të gjakut dhe shfaqjes së kësaj gjendjeje.

Më të rrezikuarit, sipas mjekëve, janë ata që vuajnë nga hipertensioni në moshën e mesme.

Pra, plakja e trurit apo humbja e kujtesës nga demenca e ka zanafillën që nga problemet me presionin e lartë të gjakut.

Si ndryshon shtypja e gjakut përgjatë viteve

Shumë funksione të trupit ndryshojnë përgjatë viteve dhe po kështu edhe presioni i lartë i gjakut.

Sipas mjekëve presioni i gjakut ndryshon disa herë gjatë jetës dhe veçanërisht gjatë moshës së mesme dhe të shtyrë.

Për të gjithë personat që kanë përjetuar gjatë këtyre dy periudhave të paktën një herë hipertensionin, prekja nga demenca është më konkrete.

Gjithsesi më të rrezikuarit janë personat që vuajnë nga hipertensioni pas të pesëdhjetave. Ndërsa rreziku ulet për personat që vuajnë nga hipertensioni në moshën e tretë.

Në zhvillimin e sëmundjes dhe hipertensionit përveç moshës dhe gjinisë ndikon edhe stili i jetesës. Ndër armiqtë më të mëdhenj të trurit janë alkooli, duhani, mungesa e gjumit apo kequshqyerja.