Ndryshon gjendja në komuna, vetëm 16 në zonën e kuqe

Gjatë 24 orëve të fundit, 13 persona kanë humbur betejën me COVID-19, ndërkohë që janë konfirmuar 590 raste të reja. Ndërkohë, në Shërbimin Spitalor Klinik të Kosovës gjatë ditës kanë qenë të hospitalizuar 900 pacientë, prej tyre 40 në gjendje të rëndë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka theksuar se numri i vdekjeve ende mbetet i lartë, ani pse numri i të infektuarve ka rënë.

Ai në një konferencë për media të premten ka treguar për rangimin e komunave, marrë parasysh numrin e personave të infektuar.

Gjatë javës së fundit, 21 komuna ishin në zonën e kuqe, ndërkaq këtë javë do të jenë 16.

Në zonën e verdhë janë 9 komuna, ndërkaq në të gjelbrën kanë kaluar 13 komuna.

“Numri i vdekjeve në këto dy periudha është i njëjtë, në ecurinë e pandemisë është vërtetuar që numri i vdekjeve mbetet i lartë edhe disa javë pas fillimit të rënies së numrit të rasteve…. Sot kemi rangimin e ri të komunave në bazë të numrit të të infektuarve gjatë javës në 100 mijë banorë. Në zonën e kuqe kemi ndryshime, tani janë vetëm 16 komuna, në zonën e verdhë janë 9 komuna, dhe në zonën e gjelbër nga përmirësimi i situatës epidemiologjike kanë kaluar 13 komuna”, ka thënë Zemaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, dhe të zbatojnë masat anti-COVID, meqë sipas tij gjendja është serioze. Ai ka pohuar se spitalet janë mbi-ngarkuar, për çka bëri thirrje për kujdes të qytetarëve.