Ballina Lajmet Kosovë Në 15 komuna po verifikohet rezultati i subjekteve politike dhe po numërohen...

Në 15 komuna po verifikohet rezultati i subjekteve politike dhe po numërohen ato për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve, në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN) do të zhvillohet procesi i verifikimit dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Sipas njoftimit, fillimisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, ndërsa më pas do të vijojë numërimi i votave për kandidatët.

Procesi është planifikuar të nisë paraditen e së hënës në 15 komuna, përfshirë Leposaviqin, Novobërdën, Obiliqin, Shtimen, Shtërpcën, Zubin Potokun, Zveçanin, Junikun, Mamushën, Hanin e Elezit, Graçanicën, Ranillugun, Parteshin, Kllokotin dhe Mitrovicën e Veriut.

Ndërkohë, nga ora 16:00 e së hënës, verifikimi dhe numërimi do të fillojë edhe në 23 komuna të tjera, si Deçani, Gjakova, Gllogoci, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Mitrovica e Jugut, Lipjani, Rahoveci, Peja, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Skenderaj, Suhareka, Ferizaj, Vitia, Vushtrria dhe Malisheva.

KQZ ka bërë të ditur se për të informuar publikun mbi ecurinë e këtij procesi dhe aktivitetet pas zgjedhjeve, do të mbahet një konferencë për media në orën 16:30 në Qendrën Komunale të Numërimit “1 Tetori” në Prishtinë.