Në këtë platformë mund ta gjeni qendrën ku do të votoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote se mund të kontrollojnë lehtësisht Qendrën e Votimit ku janë të caktuar për të votuar përmes platformës elektronike zyrtare.

Sipas njoftimit, qytetarët mund të qasen në platformën https://qv.kqz-ks.org, duke shënuar numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes.

Pas futjes së këtyre të dhënave, sistemi shfaq informacionet e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit.

KQZ bën të ditur se lokacioni i Qendrës së Votimit mund të shikohet edhe përmes Google Map, duke ua lehtësuar qytetarëve orientimin dhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

“Pas kësaj menjëherë do të hapet një faqe e re që do të shfaq të dhënat e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku është caktuar të votojë, e cila mund të shikohet përmes GoogleMap”, thuhet në njoftim.