Në kontigjentin e parë kanë arritur 81.900 doza të vaksinave Pfizer

Minsitri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se në kontigjentin e parë kanë arritur 81.900 doza të vaksinave Pfizer në vendin tonë.

Kjo është sasia e parë e blerë nga Republika e Kosovës.

Ai ka thënë se në vijim presim dhe shumë të tjetra deri në plotësimin e të gjithë sasisë.

Vitia theksoi se vaksina ishte dhe është shpresa për ta kapërcyer të mbrojtur vjeshtën dhe dimrin që na pret përpara.

“Imunizimi është kyç për mbrojtjen e shëndetit të të dashurve tanë. Këtë verë do ta mbajmë mend si vera e vaksinimit masiv në Kosovë”, u shpreh ai.

“Kështu hymë në një cikël të ri që do të na hapë rrugë për të punuar, shkolluar e përmirësuar gjendjen në shumë fusha”, shkroi Vitia.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të hënën katër raste të infektimit me coronavirus pas testimit të 1,386 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë viktimë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 28 qershor janë shëruar pesë pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton coronavirusi, derisa raste aktive janë 170.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,743 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,258 kanë vdekur.