Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në Shqipëri propaganda është më e shpejtë se ambulanca…

Në Shqipëri propaganda është më e shpejtë se ambulanca…

Pse u fsheh për gjashtë ditë vdekja e turistes gjermane në Palasë?

Vdekja tragjike e një turisteje të re gjermane në Palasë nuk është vetëm një lajm kronike. Ajo është një provë e mënyrës se si funksionon shteti shqiptar, i cili shpesh duket se shqetësohet më shumë për imazhin sesa për të vërtetën.

Dhe kur imazhi bëhet më i rëndësishëm se transparenca, atëherë lind dyshimi se çfarë po përpiqet të fshihet. Vdekja e shtetases gjermane M. S. në Palasë do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut jo vetëm për shkak të tragjedisë njerëzore, por edhe për mënyrën se si autoritetet vendosën ta trajtonin këtë ngjarje.

Policia reagoi gjashtë ditë më vonë, pasi lajmi kishte filluar të qarkullonte në media lokale dhe në portale të ndryshme, madje shpesh edhe me pasaktësi në lidhje me identitetin dhe kombësinë e viktimës.

Një heshtje e tillë nuk mund të konsiderohet normale. Nëse bëhet fjalë për një vdekje natyrale, siç pretendojnë autoritetet, atëherë përse u deshën gjashtë ditë për të informuar publikun?

Përse disa portale, që e kishin publikuar lajmin, e fshinë atë pak ditë më vonë? Këto pyetje nuk mund të shpallen teori konspirative, sepse ato lindin natyrshëm nga sjellja e institucioneve.

Në fund të fundit, lajmi është lajm. Vetëm regjimet autoritare përpiqen t’i fshehin fatkeqësitë, edhe kur ato janë krejtësisht natyrore, nga frika se mos prishet tabloja e përsosur që ndërton propaganda.

Një shtet demokratik nuk ka arsye të fshehë të vërtetën, sidomos kur ajo nuk lidhet me fajin e askujt. Por pikërisht këtu qëndron problemi. Nëse ekzistonte dyshimi se infrastruktura e emergjencës kishte dështuar, atëherë motivi për heshtjen bëhet më i qartë.

Sipas raportimeve, helikopteri i emergjencës nuk kishte ku të ulej, pasi stadiumi i Himarës ishte në rikonstruksion. Thuhet se u humb kohë duke kërkuar një alternativë, ndërsa 33-vjeçarja transportohej me autoambulancë drejt Palasës.

Nëse këto pretendime janë të pavërteta, autoritetet duhet t’ii përgënjeshtrojnë me fakte. Nëse janë të vërteta, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Gjithsesi kjo histori e trishtë nuk ka të bëjë vetëm me një turiste gjermane.

Ajo ka të bëjë me çdo qytetar shqiptar që përballet çdo ditë me mungesën e mjekëve, me pajisjet e amortizuara, me radhët e pafundme dhe me pamundësinë për të marrë shërbimin e duhur në kohën e duhur.

Për vite me radhë, shqiptarëve u është premtuar “shëndetësia falas”. Ky slogan është përsëritur aq shpesh, sa është shndërruar në një nga simbolet më të njohura të propagandës qeveritare. Megjithatë, realiteti është krejt tjetër.

Raporti i fundit i Dhomës Amerikane të Tregtisë tregoi se shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri janë rreth 330 euro për banor, pesë herë më të ulëta se në vendet e rajonit dhe dhjetë herë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Dhe kjo po bën që mijëra shqiptarë, po sipas raportit, të vdesin para kohe.

Ndërkohë, qindra miliona euro janë shpërndarë në koncesione dhe partneritete publike-private, të cilat vazhdojnë të shkaktojnë debate të forta. Shumë prej tyre janë paraqitur si histori suksesi, por qytetarët vazhdojnë të përballen me të njëjtat probleme themelore.

Ata paguajnë taksa, paguajnë sigurime dhe, në fund, paguajnë edhe nga xhepi për të marrë trajtim. Shifrat janë të pamëshirshme. Pasojat nuk maten vetëm me statistika, por edhe me histori njerëzore, me familje të shkatërruara dhe me një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie.

Ndoshta turistja gjermane nuk mund të shpëtohej. Ndoshta gjithçka ishte e pashmangshme. Por kjo nuk e justifikon heshtjen. Përkundrazi, e bën atë edhe më të pakuptimtë.

Sepse në fund, problemi më i madh nuk është se propaganda nuk arrin ta fshehë realitetin. Problemi është se, ndërsa propaganda vazhdon të flasë për suksesin, realiteti vazhdon të kërkojë llogari. Dhe realiteti, herët a vonë, e gjen gjithmonë mënyrën për t’u bërë i dukshëm. \tesheshi