Nëntori i lavdishëm – shqiptarët festojnë 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Sot, kombi shqiptar feston një nga ngjarjet më kuptimplota në historinë e vet, 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Një shekull dhe një dekadë më parë, me një akt trimërie dhe vizioni, Ismail Qemali dhe përfaqësues të tjerë të kombit ngritën flamurin kombëtar në Vlorë, duke shënuar kështu lindjen e një shteti të lirë dhe sovran.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.

Sheshet e qyteteve janë mbushur me flamuj kuq e zi që valëvitnin në ritmin e këngëve patriotike dhe zemrave që rrahin për atdheun.

Aktivitetet të shumta janë paraparë për sot në Prishtinë dhe qytete tjera për të festuar këtë 111 vejtor duke filluar nga vendosja e luleve tek monumentet e heronjve kombëtarë dhe fjalime nga zyrtarë të lartë shtetërorë.

Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.

Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës. /