Nepal, rrëzohet avion i pasagjerëve me 72 persona në bord

Një avion me 68 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit është rrëzuar në rajonin Pokhara në pjesën qendrore të Nepalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avioni i pasagjerëve i tipit “ATR 72” i kompanisë Yeti Airlines, i cili u nis nga kryeqyteti Katmandu në drejtim të Pokhara-s, është rrëzuar pranë luginës së Lumit Seti, raportoi Katmandu Post.

Zëdhënësi i kompanisë Sudarshan Bartaula ka thënë se avioni mbante 68 pasagjerë dhe ekuipazhin prej katër anëtarësh.

Bartaula ndau informacionin se mes pasagjerëve gjendeshin dhjetë shtetas të huaj dhe dy foshnja.

Kryeministri i vendit aziatik Pushpa Kamal Dahal kërkoi nga forcat e sigurisë dhe popullata që të mbështesin përpjekjet e shpëtimit në rajon.

Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror, shihet se si flaka dhe tymi dilnin nga avioni që është rrëzuar në një zonë të pjerrët rrëzë Himalajeve.

Njoftohet se në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e pajetë të disa pasagjerëve.