Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes marrin vendim për vazhdimin e sulmeve kundër Gazës

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant morën vendim për të vazhduar “operacionin ushtarak” të filluar kundër Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të transmetuesit publik izraelit KAN, Netanyahu ka bërë një vlerësim për sigurinë me Gallant dhe komandantë të nivelit të lartë.

Pas vlerësimit lidhur me situatën e sigurisë në Rripin e Gazës, Netanyahu dhe ministri i mbrojtjes Gallant i dhanë urdhër ushtrisë izraelite që të vazhdojë t’i shkaktojë humbje të rënda Lëvizjes së Xhihadit Islamik në Gaza.

Në lajm vihet në dukje se Netanyahu dhe Gallant kanë vendosur që “operacioni ushtarak në Gaza të vazhdojë aq sa të jetë i nevojshëm”.

Ushtria izraelite mëngjesin e 9 majit filloi sulme kundër Gazës nën bllokadë duke mbrojtur idenë se ka vendosur në objektiv stafin drejtues të Lëvizjes Xhihadi Islamik.

Grupet palestineze u kundërpërgjigjën duke lëshuar një seri raketash nga Gaza drejt Izraelit. Izraeli në orët e natës përmes një sulmi ajror vrau Ali Hassan Ghali, përgjegjësin për njësinë raketore të Xhihadit Islamik. Brigadat Al-Quds, krahu ushtarak i Xhihadit Islamik, konfirmuan vrasjen e Ghali-t.

Në sulmet e ushtrisë izraelite humbën jetën 29 palestinezë ndërsa mbi 90 të tjerë janë plagosur.