Nga dita e sotme, qytetarët e katër komunave mund të përzgjedhin mjekun familjar

Nga dita e sotme, qytetarët e katër komunave mund të përzgjedhin mjekun familjar.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kohë më parë Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Plani e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces. Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin’’, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Sipas Ministrisë, përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore.

Në ditët në vijim Ministria do ti mbajë të informuar qytetarët për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar.