Syrsky akuzohet se po përdor si “mish për top” ushtarët ukrainas
Gjenerali Oleksandr Syrsky, dikur një nga komandantët më të vlerësuar të Ukrainës për rolin e tij në zmbrapsjen e pushtimit rus në vitin 2022, është sot në qendër të zemërimit publik.
Protestat në fundjavë, që fillimisht shpërthyen kundër largimit të Ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, u shndërruan në një kërkesë të drejtpërdrejtë për shkarkimin e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura.
Demonstruesit e konsiderojnë Syrsky-n simbol të një strategjie ushtarake të vjetëruar, që, sipas tyre, ka shkaktuar humbje të panevojshme në radhët e ushtrisë ukrainase. Në pankartat e protestuesve lexohej “Fedorov = më shumë rusë të vrarë, Syrsky = më shumë ukrainas të vrarë”.
Gjenerali është bërë objekt kritikash të ashpra edhe për dy nofkat që e shoqërojnë prej muajsh: “Kasapi” dhe “Gjenerali 200”, ku numri 200 është kodi ushtarak sovjetik që përdoret për ushtarët e vrarë në betejë.
Sipas Dmitry Kozyatinsky, një prej organizatorëve të protestave, Syrsky ‘po e demoralizon ushtrinë, po pengon reformat, po krijon një rreth komandantësh besnikë dhe po shtyp lirinë e shprehjes brenda forcave të armatosura”.
Në qendër të përplasjes ndodhet edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili gjatë muajve të fundit kishte promovuar një strategji të re lufte, të bazuar në përdorimin masiv të dronëve, robotëve dhe teknologjisë moderne.
Sipas raportimeve, Syrsky e kishte kundërshtuar këtë qasje, duke mbështetur investimet tradicionale në tanke, artileri dhe luftimet klasike në vijën e frontit. Mosmarrëveshjet mes dy drejtuesve konsiderohen një nga arsyet kryesore që çuan në largimin e Fedorovit nga qeveria.
Presioni ndaj presidentit Volodymyr Zelensky po rritet. Sipas burimeve të Financial Times dhe medias së pavarur ruse Meduza, ai po shqyrton mundësinë e zëvendësimit të Syrsky-t. Ditët e fundit ai ka zhvilluar takime me drejtues të lartë ushtarakë, ndër ta edhe gjeneralin Mykhailo Drapatiy, i cili përmendet si kandidati kryesor për ta pasuar.
Ndërkohë Fedorov, raportohet se ka refuzuar një post këshilltari të lartë në qeveri, duke bërë të ditur se është i gatshëm të rikthehet vetëm nëse emërohet sërish Ministër i Mbrojtjes.
Ironikisht, Syrsky ishte vetë një hero kombëtar në fillim të luftës. Si komandant i forcave tokësore, ai luajti një rol kyç në mbrojtjen e Kievit dhe në çlirimin e territoreve në verilindje të vendit gjatë vitit 2022.
Ato suksese e çuan në krye të ushtrisë në shkurt 2024, kur Zelensky shkarkoi gjeneralin shumë popullor Valery Zaluzhny, një vendim që shkaktoi polemika të mëdha.
Megjithatë, reputacioni i Syrsky-t filloi të zbehej pas mbrojtjes së gjatë të qytetit Bakhmut, një betejë dhjetëmujore që përfundoi me pushtimin e qytetit nga Rusia në vitin 2023. Shumë ushtarakë dhe analistë e akuzuan se vonoi tërheqjen strategjike, duke sakrifikuar mijëra ushtarë me përvojë pa arritur të ndryshonte rezultatin e betejës.
Që kur mori drejtimin e ushtrisë, kritikët e akuzojnë gjithashtu për një stil komandimi të quajtur në Ukrainë “radianshchyna” ose “kulturë sovjetike”.
Sipas tyre, ai drejton në mënyrë autoritare, fsheh problemet, favorizon komandantët besnikë dhe shpërndan burimet ushtarake sipas afërsisë personale dhe jo sipas nevojave operative.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, Zelensky deri tani ka hezituar ta shkarkojë. Arsyeja kryesore është se Syrsky konsiderohet ende një komandant me përvojë të jashtëzakonshme dhe zëvendësimi i tij në mes të luftës mund të krijojë paqëndrueshmëri në zinxhirin komandues të ushtrisë, në një moment kur operacionet ushtarake ukrainase vazhdojnë të zhvillohen në një situatë tepër delikate.
Përballë kësaj dileme, presidenti ukrainas duhet të bëjë një zgjedhje midis ruajtjes së stabilitetit ushtarak dhe përgjigjes ndaj një pakënaqësie publike që po rritet dita-ditës.
Nëse protestat vazhdojnë të zgjerohen, fati politik dhe ushtarak i Oleksandr Syrsky-t mund të vihet seriozisht në pikëpyetje. \tesheshi




