Nga sot 5 euro taksë rrugore për çdo automjet që kalon tunelin e Kalimashit në Rrugën e Kombit

Që nga mesdita e sotme, çdo veturë që do të kalojë në tunelin e Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit, do të paguajë pesë euro.

Por kjo shumë bëhet 10 euro, nëse rruga bëhet vajtje-ardhje. Ndërsa, kjo pagesë do të nisë nga ora 12.00 e mesditës së sotme, e diel dhe do të kryhet në hyrje të tunelit.

Pagesa e sotme do të kryhet vetëm në fazën e testimit dhe nuk do të punojnë të gjashtë sportelet e planifikuara për punë.

Tarifimi me 5 euro për çdo automjet që kalon gjatë ditës së sotme, do të bëhet nga dy sportele në vajtje dhe dy në ardhje.

Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha të shtunën për Telegrafin se një taksë e tillë për autostradën do të gjenerojë shumë më tepër efekte negative sesa pozitive.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka bërë të ditur për Telegrafin se është i interesuar që sa më parë të definohen gjërat sa i përket autostradave, duke thënë se do të merren parasysh modelet me të mira për zhvillimin e këtij projekti.