Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

Ngadalësimi i rritjes ekonomike të vendit, sipas ekspertëve, është rezultat i ngecjes në investime, përfshirë edhe projektet kapitale publike. Dinamika e ulët e realizimit të projekteve kapitale, sipas ekzekutivit, është shkaku i ngadalësimit të punëve nga operatorët ekonomikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor. Sipas ekonomistëve, rritja ekonomike do të jetë e ngjashme edhe vitin e ardhshëm.

Rritja ekonomike e Kosovës është ngadalësuar në tremujorin e tretë të vitit 2022. Shkak për këtë është edhe ngecja në realizimin e investimeve, gjë e cila ndikoi që rritja ekonomike të jetë vetëm 2 për qind. Viti, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), pritet të përmbyllet me rritje ekonomike prej 2-3 për qind.

Ani se kjo rritje ekonomike është për 8.7 për qind më e vogël sesa vitin e kaluar, sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, dallimi është edhe shkaku i bazës krahasuese.

Sipas tij, në vitin 2021, baza krahasuese ka qenë 2020, ku ka pasur një tkurrje ekonomike prej -5.3 për qind, ndërsa viti 2022 ka bazë krahasuese vitin 2021, që kishte rritje prej 10.7 për qind.

“Struktura e ekonomisë së Kosovës nuk ka ndryshuar aspak. Vitin e kaluar kemi pasur rritje ekonomike prej 10.7 për qind. Nëse ajo rritje do të ishte për shkak se ka ndryshuar struktura e ekonomisë, atëherë ekonomia për 2022, kur pati inflacion të lartë, do të ishte shumë më e qëndrueshme. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi pasur një rimëkëmbje ekonomike për shkak të hapjes”, ka theksuar Jakurti. “Ta zëmë, një person ka të ardhura 100 euro dhe nëse i fiton vetëm 10 euro më shumë, atëherë themi që të ardhurat e këtij personi janë rritur për 10 për qind. Por nëse një person ka të ardhura prej 1000 eurosh, dhe rriten për 10 euro, atëherë themi që rritja është vetëm 1 për qind”, ka sqaruar ai.

Dinamika e ulët e realizimit të projekteve kapitale, sipas ekzekutivit, ka ndodhur shkaku i ngadalësimit të punëve nga operatorët ekonomikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.

Sipas raportit financiar të Ministrisë së Financave, për nëntë muaj shpenzimet kapitale arritën në vlerën prej 158 milionë eurosh, që është realizim i vetëm 21 për qind të buxhetit për këtë kategori.