Ngadalësoni që të mund të shpejtoni 🚶🏻‍♂️🏃🏽‍♂️

Mohammed Faris

Esselamu alejkum,

Kohët e fundit kam filluar ta marr më seriozisht vrapimin dhe një këshillë e zakonshme që dëgjoni nga vrapuesit është se duhet të ngadalësoni shpejtësinë në fillim të vrapimit për të shpejtuar drejt mesit dhe fundit të vrapimit.

Më duket kjo një metaforë e madhe për jetën.

Shpesh, ju dëshironi të ‘ecni, ecni dhe ecni’ dhe të përshpejtoni për t’i bërë gjërat shpejt dhe me çfarëdo mënyre… por ndonjëherë ju duhet të ngadalësoni që të mund të kontrolloni se ku po shkoni dhe të ‘mbusheni me karburant’ siç duhet përpara se të shpejtoni drejt vendit ku duhet të shkoni.

Në Islam, ne jemi të begatuar me kaq shumë momente ku na jepen mundësitë për të ngadalësuar ritmin në jetë, nga pesë namazet ditore deri në Dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, te leximi i Kuranit, te agjërimi gjatë Ramazanit ose të hënëve/të enjteve. Këto mundësi të gjendura në kalendarët tanë ditorë, javorë dhe vjetorë na detyrojnë të ngadalësojmë ritmin në mënyrë që të rikalibrojmë jetën tonë dhe të ecim më shpejt në drejtimin e duhur drejt Allahut SWT.

Është joshëse të ‘ngutemi’ nëpër ritualet ose t’i anashkalojmë ato fare në emër të kulturës së ngutjes dhe botës në lëvizje të shpejtë në të cilën jetojmë, por nëse sinqerisht gjejmë momentin për të ngadalësuar për hir të Allahut, të kthehemi te roli dhe qëllimi ynë i jetës, dhe ai është të jemi adhurues të Allahut, ne do ta vërejmë begatinë në jetën tonë që na ndihmon t’i arrijmë gjërat shumë më shpejt me Mëshirën dhe Urtësinë e Tij se sa me vendosmërinë e plotë të përpjekjeve tona.

Ndani një moment këtë javë për të ngadalësuar:

Ngadalësoni dhe falni sabahun në kohë dhe qëndroni në xhami deri në lindjen e diellit

Ngadalësoni shpejtësinë dhe shkoni në namaz të drekës herët dhe falni sunetin shtesë para dhe pas

Ngadalësoni dhe lexoni Kuranin në mënyrë paqësore

Ngadalësoni dhe shkoni për një shëtitje duke përmendur Allahun, duke folur me Të, duke iu lutur Atij

Ngadalësoni shpejtësinë dhe hani një vakt të kujdesshëm, duke shijuar vërtet vaktin dhe duke qenë mirënjohës për të

Ngadalësoni dhe dëgjoni çiltërsisht ata që ju rrethojnë, çfarë thonë dhe çfarë nuk thonë

Ngadalësoni, dhe çdo gjë e shkruar për ju do të vijë më shpejt nga sa mendoni insha’Allah.

Sinqerisht,

Mohammed Faris
Themelues dhe CEO i Productive Muslims
Përshtati: Mesazhi.com