Ngjarja në Emshir, jepen detaje rreth rastit të ndodhur

Një vrasje e dyfish dyshohet se ka ndodhur në lagjen Emshir në Prishtinë.

Dyshimet e para janë se një grua rreth të 50-ve është vrarë nga burri i saj mëngjesin e sotëm në Prishtinë, më pas i dyshuari ka vrarë edhe vetën.Vrasja dhe vetëvrasja dyshohet se ka ndodhur me armë zjarri, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes në afërsi të viktimave.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci më herët ka thënë për lajmi.net se në vendin e ngjarjes janë hasur dy trupa të pajetë, vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor.

“Rreth orës 09:00 policia ka pranuar informatën për dy persona të pajetë në lagjen Emshiri në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit dhe mjekët emergjent. Në vendin e ngjarjes janë hasur dy trupa të pajetë, vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor. Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.