Nigeri, rrëmujë në një karnaval të nxënësve, humbin jetën 32 fëmijë

Të paktën 32 fëmijë janë konfirmuar të vdekur gjatë një rrëmuje në një karnaval në shtetin jugperëndimor të Nigerisë, Oyo, raporton Anadolu.

Incidenti ndodhi të mërkurën në shkollën e mesme islame “Bashorun” në qytetin Ibadan.

Zëdhënësi Dotun Oyelisa konfirmoi për gazetarët se 32 persona ishin të vdekur dhe shtoi se shifra mund të ndryshojë pas një raporti të plotë nga policia.

Zëdhënësi i Komandës së Policisë së Shtetit Oyo, Adewale Osifeso tha se hetimi është ende duke vazhduar për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave.

Anadolu mësoi se karnavali u organizua nga një organizatë joqeveritare dhe se krerët e organizatës janë marrë në pyetje nga policia.

Omolewa Azeez, një dëshmitare që ishte në vendin e ngjarjes me djalin e saj 7-vjeçar, tha për Anadolu se kishte një turmë që përpiqej të futej me forcë në ambientet e karnavalit dhe se nuk kishte personel të mjaftueshëm të sigurisë në vendngjarje.

“Shumë persona ranë dhe u shkelën ndërsa disa të tjerëve u ra të fikët për shkak të presionit të madh të turmës”, tha ajo, duke shtuar se disa fëmijë dhe prindër ishin munduar të mbajnë rendin dhe ishin vigjilent.

Sipas mediave lokale, organizatorët njoftuan sigurimin e ushqimeve dhe dhuratave për 5 mijë fëmijë, por afro 8 mijë fëmijë u shfaqën që në orën 5 të mëngjesit.

Burime të shumta në vendngjarje thanë se viktimat u shkelën gjatë rrëmujës, teksa po përpiqeshin të depërtonin portën kryesore të lokalit ku mbahej ngjarja.