Nipërit e skllavopronarëve britanikë i bëjnë thirrje qeverisë të kërkojë falje

Pasardhësit e disa skllavopronarëve britanikë kanë krijuar një grup aktivistësh dhe i kanë bërë thirrje qeverisë britanike të kërkojë falje zyrtare për skllavërinë dhe të nisë një program drejtësie riparuese për njohjen e “pasojave të vazhdueshme të këtij krimi kundër njerëzimit”, raporton Anadolu.

Lëvizja “Trashëgimtarët e skllavërisë (Heirs of Slavery)” është krijuar me qëllim që të nxisë qeverinë britanike të pranojë rolin e saj në abuzimin dhe transportimin e 3,1 milionë skllevërve afrikanë përtej Atlantikut.

Grupi përfshin gazetarë, botues, mësues shkollash, punonjës socialë në pension dhe kushëririn e dytë të mbretit Charles dhe një pasardhës të drejtpërdrejtë të kryeministrit viktorian William Gladstone.

“Kjo është një histori që të gjithë e kemi shqyrtuar dhe pranuar publikisht. Ka gabime në botën e sotme që rrjedhin nga shfrytëzimi i njerëzve afrikanë dhe pasardhësve të tyre nga Britania dhe fuqitë e tjera ish-koloniale. Besojmë se është e rëndësishme të pranojmë këtë krim kundër njerëzimit dhe të adresojmë pasojat e tij të vazhdueshme”, thuhet në reagimin e grupit.

Lëvizja bën thirrje për “kërkim faljeje, dialog, pajtim dhe drejtësi riparuese”, ndërkohë që inkurajon të tjerët që kanë shqyrtuar në mënyrë të ngjashme historinë e tyre familjare të marrin në konsideratë se si donacionet personale bamirëse mund të ndihmojnë të ardhmen e njerëzve në Karaibe dhe Britani.

“Por qëllimi ynë kryesor është të ngremë zërin tonë si trashëgimtarë të atyre që janë të përfshirë në punën e skllavërisë që të mbështesim fushatat për drejtësi institucionale dhe kombëtare riparuese”, tha ai.

Grupi përshëndeti ndjesën e fundit të qeverisë holandeze për rolin historik të Holandës në skllavëri dhe njoftoi për krijimin e një fondi reparacionesh për të trajtuar trashëgiminë e skllavërisë në Holandë dhe ish-kolonitë e saj.