Nis ardhja e mërgimtarëve, por sa janë pritjet në pikat kufitare?

Edhe pse mërgimtarët veçse kanë filluar të vijnë në Kosovë për pushimet verore, në pikat kufitare hyrëse të vendit nuk ka ende kolona.

Në të dhënat e fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftohet se në hyrje të Dheut të Bardhë ka pritje vetëm deri në pesë minuta, e njëjtë situata është edhe në Merdare.

Dy pikat kufitare janë në gjendje të njëjtë sa i përket kolonave përgjatë këtyre ditëve.

Duhet përkujtuar që nga muaji korrik pritet ardhje edhe më e madhe e mërgimtarëve.

Madje një gjë të tillë ditë më parë për lajmi.net e kanë deklaruar edhe nga Aeroporti i Prishtinës si dhe nga pikat kufitare tokësore.

Për shkak se viti i kaluar ishte në një situatë të jashtëzakonshme pandemike shumë prej mërgimtarëve nuk arritën që të vinin fare, kësisoj ky vit pritet të kompensojë mungesën e tyre me ardhje edhe më të mëdha.

Ditë më parë nga Qeveria e Kosovës u morë vendim që në kuadër të buxhetit të Kosovës të paguhen edhe polisat kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë përmes rrugëve tokësore.