Një nismë e përbashkët nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një qasje të re ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) po tërheq vëmendje si një mundësi praktike për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, transmeton Anadolu.
Sipas medias evropiane ‘Eualive’ me bazë në Belgjikë, diskutimi për të ardhmen e Evropës është intensifikuar muajt e fundit, pasi analistë ndërkombëtarë kanë ngritur dyshime mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të BE-së.
Kolumnisti Tony Barber, i cili kontribuoi për këtë artikull të shkruar nga media evropiane, kujtoi se propozimi i kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiq i prezantuar në fund të shkurtit, synon që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në strukturat kyçe të BE-së, përpara anëtarësimit të plotë.
Konkretisht, thotë raporti, ai parashikon integrimin në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën e udhëtimit pa viza Shengen, dy nga përfitimet kryesore të anëtarësimit në BE.
Sipas nismës Rama-Vuçiq, kjo qasje do të mundësonte përfitime të menjëhershme ekonomike dhe do të rriste bashkëpunimin rajonal, duke shmangur njëkohësisht pengesat politike që kanë ngadalësuar procesin tradicional të zgjerimit.
Sipas raportit, Ballkani Perëndimor, që përfshin Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, mbetet një nga prioritetet kryesore për zgjerimin e BE-së, por progresi i rajonit ka qenë i ngadaltë dhe i pabarabartë.
– Çështja e vetos është bërë veçanërisht e ndjeshme
Nisma Rama-Vuçiç, thuhet në raport, mund të kapërcejë disa nga pengesat kryesore të procesit, përfshirë nevojën për miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe shqetësimet mbi zgjerimin e të drejtës së vetos për anëtarët e rinj.
Çështja e vetos është bërë veçanërisht e ndjeshme pas rasteve kur Hungaria ka bllokuar vendime të rëndësishme të politikës së jashtme të BE-së, duke rritur frikën për paralizë institucionale në rast të një zgjerimi të shpejtë.
“Ide të tilla kanë qarkulluar tashmë në Bruksel, si dhe në Berlin dhe Paris. Argumentet në favor të tyre janë të dyfishta. Së pari, integrimi ekonomik do të përfitonte si Ballkanin Perëndimor ashtu edhe vendet ekzistuese të BE-së. Së dyti, qasja e re do të anashkalonte çështje të vështira, të tilla si ndryshimi i përbërjes së Komisionit Evropian, shtimi i anëtarëve në Parlamentin Evropian, ndryshimi i rregullimeve të votimit në BE dhe mbi të gjitha dhënia e të drejtës së vetos anëtarëve të rinj”, thotë raporti.
Megjithatë, raporti thotë se propozimi i ri nuk duhet të merret si zëvendësim për anëtarësimin e plotë në BE, i cili duhet të mbetet objektivi afatgjatë për Ballkanin Perëndimor.
“As nuk do të jetë e lehtë për të gjitha vendet e rajonit të përmbushin kushtet edhe për hyrjen në tregun e vetëm, ende duhet shumë punë e vështirë për reformat”, thuhet më tej.

