Një 37 vjeçar i vdekur dhe 19 të lënduar në një aksident në rrugën Prishtinë- Ferizaj

Mbrëmë rreth orës 18.00 në fshatin Çallapek ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku.

Një person ka ndërruar jetë dhe 19 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore, ka treguar për Indeksonline Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

Mësohet se viktima është B.M 37 vjeç.

“Rreth orës 18:00 në rrugën Prishtinë- Ferizaj më saktësisht në fshatin Çallapek ka ndodhur një aksident trafiku mes një autobusi dhe një veture, ku lëndime trupore kanë pësuar 19 persona, njëri nuk ka arritur të përballoj plagët e aksidentit dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Personat e tjerë janë dërguar për tretman mjekësor. Bilanci është 1 i vdekur dhe 19 të lënduar. Trupi i viktimës B.M mashkull 37 vjeç është dëguar për obduksion ndërsa ngasësi i autobusit në qendrën e mbajtjes”, ka thënë Ahmeti në një prononcim për Indeksonline.