Ballina Lajmet Kosovë Një muaj paraburgim ndaj pjesëtarit të MUP-it i dyshuar për krime lufte...

Një muaj paraburgim ndaj pjesëtarit të MUP-it i dyshuar për krime lufte në Kaçanik

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë për tëvë1.info se masa është caktuar sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale si pjesëtar i MUP-it në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut.

“Sipas kërkesës, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të MUP–it në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan. Ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik”, ka njoftuar Gashi.