Një në pesë persona në Gaza përballet me uri ekstreme

Një në pesë banorë të Gazës është në rrezik urie ekstreme, sipas një raporti të fundit nga sistemi ndërkombëtar i monitorimit të urisë (IPC). Ky paralajmërim vjen ndërsa Izraeli ka njoftuar se do të lejojë një “sasi bazë” ndihmash të hyjnë në territor, pas më shumë se dy muajsh bllokadë të plotë.

Raporti i IPC thekson se e gjithë popullsia prej 2.1 milion banorësh në Gaza përballet me mungesë të madhe ushqimi dhe se 469,500 persona janë në nivelin më të lartë të krizës, të quajtur “katastrofik” (Faza 5 nga 5).

Kjo situatë përfaqëson një përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me analizën e fundit të bërë në tetor dhe periudhën prill-maj, kur 244,000 njerëz ishin në Faza 5 dhe 925,000 në Faza 4.

IPC paralajmëron se nëse situata nuk përmirësohet, rreziku për një uri të plotë në Gaza mbetet shumë i lartë. /mesazhi