Një prototip i Cybertruck u pa së fundmi me kamuflazh fabrike

Një prototip i Cybertruck i Tesla-s është parë së fundmi me kamuflazh fabrike për herë të parë ndonjëherë.

Automjeti i mbuluar plotësisht me mbështjellës u pa në Palo Alto të Kalifornisë derisa imazhet dhe videot morën hov në rrjetin social Twitter, transmeton Telegrafi.

Kjo është diçka befasuese pasi Tesla zakonisht nuk përdorë mbështjellës kamuflazhi në prototipet e saj dhe shumë rrallë e ka bërë këtë në të kaluarën.

Sidoqoftë, si duket kompania po e rishqyrton qëndrimin e saj, të paktën sa i përket Cybertruck-ut. Prodhuesit e tjerë zakonisht e bëjnë këtë për të fshehur dizajnet, përmasat dhe veçoritë e tjera që nuk janë ende të njohura për publikun.

Në momentin kur vërehet një prototip i Tesla-s, zakonisht nuk është i mbështjellë me kamuflazh.

Ajo që po shohim ne së fundmi në këto pamje është atë që duket të jetë kamuflazh në shkretëtirë.

Nuk dihet pse prototipi Cybertruck është parë i kamufluar, pasi kamionçinën elektrike e kemi parë deri më tani shumë herë pa ndonjë mbështjellës.