Një ‘ylber’ ngjyrash! Bimët kthehen në abazhurë nate

Shkencëtarët kanë krijuar bimë që shkëlqejnë në errësirë duke injektuar bimët sukulente me materiale të ngjashme me ato që ndriçojnë posterët. Bimët ndriçojnë sa një abazhur nate dhe mund ta bëjnë këtë me një larmishmëri ngjyrash, thuhet në revistën Nature.

Kërkuesit e udhëhequr nga Xuejie Zhang, nga Universiteti Bujqësor i Kinës jugore në Guangzhou, kanë aplikuar për një patentë dhe besojnë se kjo teknologji mund të krijojë instalacione dekorative dhe drita “të gjalla”.

Ideja nuk është risi sepse është shfaqur që në vitin 1980. Në SHBA, vitin e shkuar nisi shitja e petuniave që ndriçojnë në errësirë duke lëshuar një dritë të gjelbër të zbehtë, falë gjeneve të një kërpudhe.

Ndryshe nga petunia, bimët sukulente ndriçojnë për shkak të materialeve të injektuara në gjethet e saj. Këto janë pjesëza fosfori të përbëra nga stronciumi, alumini dhe metale të tjera dhe e përthithin energjinë nga drita në të njëjtën gjatësi vale, ruajnë disa energji dhe e lëshojnë sërish në gjatësi të ndryshme vale për disa orë.

Për shembull, një material përthith dritën ultravjollcë dhe blu që më pas e lëshon si dritë të gjelbër.

Ky lloj fosfori përdoret te disa lodra, bojëra dhe si gjurmues imazherik te kafshët e laboratorit. Ai mund të prodhojë nuanca të ndryshme, përfshirë blu e të kuqe dhe kur kombinohen, të bardhë.