Njësia Speciale e Kosovës stërvitet nga ushtria amerikane

Njësia Speciale Intervenuese po trajnohet nga Forcat Operative Speciale të Ushtrisë Amerikane, si pjesë e një angazhimi ushtarak dy palësh në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.

Kjo është Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës, e gatshme për intervenim në ndihmë të qytetarëve në çdo situatë.

Kjo njësi e cila është e përgatitur të intervenojë në operacione të rrezikshmërisë së lartë, aktualisht po zhvillon stërvitje me ushtrinë amerikane.

Ushtrimet të cilat po realizohen në Kosovë do të zgjasin disa ditë dhe ato po e dëshmojnë edhe partneritetin e fortë në mes të ShBA-ve dhe Kosovës.

Ndërsa amerikanët kanë thënë se po qëndrojnë të fortë pranë aleatëve në Kosovë.

“Ne jemi këtu me forcat e njësisë speciale që po trajnohen me partnerët tanë këtu në Kosovë si pjesë e një angazhimi ushtarak dypalësh midis SHBA-së dhe Kosovës. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu duke qëndruar të fortë pranë aleatëve tanë këtu në Kosovë dhe duke u stërvitur me partnerët tanë”.

Njësia Speciale Intervenuese e cila sivjet ka shënuar 15 vjet që nga themelimi, është e pajisur me armatim dhe pajisje speciale.

Partnerët amerikanë kanë vlerësuar përgatitjet e Policisë së Kosovës dhe sipas tyre Njësia Elitë po dëshmon profesionalizëm të lartë.

Video: “Na ka bërë shumë përshtypje profesionalizmi që kemi parë tek partnerët tanë këtu, në Policinë e Kosovës. Ka qenë një mundësi e shkëlqyer për ne që të punojmë me ta dhe të mësojmë nga njëri-tjetri nga ky trajnim…Dua të falënderoj popullin e Kosovës për mikpritjen, ka qenë një mundësi e shkëlqyer për ne që të punojmë me partnerët tanë në polici dhe të ndërveprojmë me popullatën këtu në përgjithësi”.

Trajnimet e ushtrisë amerikanë në Kosovë realizohen në kuadër të marrëveshjes bilaterale në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.