Njihuni me veturën më të shtrenjtë të planetit – modeli i ri nga Rolls-Royce kap vlerën e afro 30 milionë eurove

Rolls-Royce ka zbuluar një model luksoz të ndërtuar me porosi që kap vlerën e 25 milionë funtave (29,187,500 euro), i treti nga katër të porositur individualisht nga një klient mjaft i pasur identiteti i të cilit nuk dihet.

I quajtur Arcadia sipas mitit të legjendës së lashtë greke “Parajsa në Tokë”, modeli luksoz me dy ulëse është projektuar për t’ju përshtatur karakterit dhe shijeve të klientit, i cili u prezantua me veturën e tij në një ceremoni private në Singapor.

Marka britanike ka konfirmuar se vetëm për pjesët me veshje druri të variantit luksoz iu deshën 8,000 orë për t’i krijuar dhe montuar.

Çmimi i Arcadias përputhet me atë të Rolls-Royce Droptail-it të fundit, La Rose Noire, i cili debutoi vitin e kaluar.

Arcadia mbështetet nga një motor i madh 6.6 litërsh turbo V12, i cili prodhon 593 kuaj/fuqi, dhe lidhet me një transmision automatik me 8 shpejtësi.

Dizajni i tij është frymëzuar nga rajonet e preferuara të klientit në mbarë botën, duke përfshirë Singaporin, Indonezinë, Britaninë e Madhe, dhe Vietnamin.

I përshkruar si një “kryevepër”, modeli i ri vjen me ngjyrë të bardhë me shkëlqim. Pjesa e brendshme prej lëkure është e përfunduar me dy nuanca krejtësisht të personalizuara.

Ashtu si modelet e tjera që Rolls-Royce ka prodhuar, edhe ky i fundit i dërgon kërkesat e personalizuara në një dimension krejtësisht të ri.

Pronari i saj do të jetë në gjendje ta përjetojë këtë duke përdorur kufje të realitetit virtual 3D VR, për të parë veturën se si do të dukej në vende specifike në mbarë botën.

Ndryshe, Rolls-Royce ka shënuar një rekord shitjesh për vitin 2023 me më shumë se 6,000 njësi të shitura.