Ballina Lajmet Rajon dhe Botë NRC paralajmëron për përkeqësim të krizës humanitare në Jemen

NRC paralajmëron për përkeqësim të krizës humanitare në Jemen

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatët (NRC), Jan Egeland, ka paralajmëruar për përkeqësimin e kushteve humanitare në zonat e kontrolluara nga Houthit në veri të Jemenit, ku miliona njerëz përballen me urinë.

Në një intervistë për Agjencinë France-Presse (AFP) në Sana, Egeland tha se ekziston një dallim i madh mes zonave në jug, të kontrolluara nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht, ku veprojnë shumë organizata ndërkombëtare, dhe zonave veriore, ku kanë mbetur vetëm një numër i vogël organizatash humanitare.

Ai tha se organizatat që vazhdojnë të veprojnë në veri kanë kapacitete të kufizuara, ndërsa miliona banorë kanë nevojë urgjente për ndihmë.

Sipas Egelandit, më shumë se 20 milionë njerëz në veri të vendit nuk marrin ndihmën e nevojshme për të siguruar nevojat bazë të jetesës.

Ai theksoi se gjatë viteve të tij të punës në sektorin humanitar nuk kishte parë më parë një numër kaq të vogël organizatash që përpiqen t’u përgjigjen nevojave të miliona njerëzve, siç po ndodh aktualisht në veriun e Jemenit.

Egeland tha se miliona jemenas merrnin më parë çdo muaj ndihma ushqimore, por operacionet e Kombeve të Bashkuara në veri u ndërprenë pas arrestimit të punonjësve humanitarë nga autoritetet Houthi.

Në fund të muajit të kaluar, Kombet e Bashkuara njoftuan vdekjen e punonjësit të tyre në Jemen, Mohammed Al-Shami, i cili ishte ndaluar nga autoritetet Houthi që nga viti 2024.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq, tha më 14 tetor se 71 punonjës të organizatës vazhdonin të mbaheshin të ndaluar nga Houthit.

Houthit, të mbështetur nga Irani, kontrollojnë pjesën më të madhe të veriut dhe perëndimit të Jemenit që nga marrja e kryeqytetit Sana në vitin 2014. Konflikti u përshkallëzua pas ndërhyrjes së koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite në vitin 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, duke e shndërruar Jemenin në një nga krizat më të rënda humanitare në botë. /mesazhi