Nuk miratohet rregullorja që synonte plaçkitjen e qytetarëve jo prishtinas

Vendimi i Komunë së Prishtinës, për trefishimin e tarifave shëndetësore për qytetarët jorezident të Prishtinës nuk u votua në mbledhjen e radhës.

Kjo pikë pati kundërshtime të shumta nga ana e opozitës dhe si e tillë nuk kaloi, kundër kësaj pike votuan 16 asamblistë, ndërsa 14 votuan pro.

Me këtë Komuna e Prishtinës synonte që të trefishojë çmimet në shëndetësinë primare për qytetarët jo rezident të Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Lidhur me këtë, drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi, tha se këto tarifa nuk përfshihen rastet emergjente.

Gashi tha se pas konsultimeve me zyrën ligjore propozuan që banoret jo rezident të komunës së Prishtinës pagesa për çdo shërbim të jetë 3 herë më e larët se ajo për qytetarët e Prishtinës.

Sipas tij, kjo është bërë në mënyrë që, siç thotë ai, t’ju mundësohet qytetarëve të Prishtinës që të kenë shërbime shëndetësore në kohë më të qasshme.

“Pas konsultimeve me zyrën ligjorë propozojmë që banoret jo rezident të komunës së Prishtinës pagesa për çdo shërbim të jetë 3 herë më e larët se ajo për qytetarët e Prishtinës. Në mënyrë që t’ju mundësojmë qytetarëve të Prishtinës që të kenë shërbime shëndetësore në kohë dhe të qasshme, që të kenë hapësirë që të marrin. Propozojmë që t’ju kthehen bashkë pagesat në Qendrën e Mjekëses për raste jo urgjente sipas udhëzimit administrativ. Duke marr parasysh rritjen e kostove të shpenzimeve propozoj që pagesa për transportin jashtë – brenda Kosovës të trajtohen sipas udhëzimit administrativ”, ka thënë Gashi.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se kjo është diskutuar edhe me herët, andaj kjo nuk do të vlejë për rastet emergjente, por vetëm për shërbimet që nuk janë urgjente.

“Edhe nëse nuk merret vendim për vendimin tonë është mirë që ta diskutojmë. Sepse kem të bëjmë me padrejtësi sepse shëndetësia është kompetencë vetanake. Këtë diskutim e kemi nisur edhe më herët. Buxheti i shëndetësisë financohet nga granit i shëndetësisë që na vjen nga niveli qendrorë. Ne marrim buxhet të bazuar në faktin që i kemi 200 mijë banorë. Nuk po flasim për shërbime emergjente, por po flasim për analiza laboratorike, pra po flasim për shërbime që nuk janë urgjente”, ka thënë Ahmeti.

“Ndërsa, asamblisti i LDK-së, Agim Gashi ka thënë për lajmi.net se kanë qenë kundër këtij vendimi, pasi sipas tij, është diskriminues për qytetarët jorezident të Prishtinës.

“Grupi jonë ka qenë kundër sepse këto dallime dhe këto relacione duhet t’i rregullojë Qeveria e Kosovës përmes formave të ndryshme dhe jo secilës komunë që t’i teket të tarifojë dhe të ngarkojë qytetarët.

E këtë vendim diskriminues e ka quajtur edhe Organizata INPO.

Kjo organizatë shpreh shqetësimin e saj lidhur me nismën e komunës së Prishtinës për ndryshimin e tarifave shëndetësore për qytetarët jorezident.

“Ky vendim bie ndesh me vlerat kushtetuese, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Shëndetësinë si dhe udhëzimet administrative që rregullojnë çështjen e tarifave dhe ngarkesave për shërbime shëndetësore”, thuhet në deklaratën e INPO.

Sipas INPO-s propozim-vendimit në fjalë nuk i është bashkëngjitur dokumenti përcjellës i cili shpjegon arsyet dhe shkaqet që kanë ndikuar për t’u ndryshuar tarifat e shërbimeve shëndetësore për qytetarët jo rezident të Prishtinës.