Nuk votohet komisioni për hetimin e situatës energjetike, opozita lëshon sallën

Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës.

Iniciativën e PDK-së nuk e votuan deputetët e pushtetit. Pas kësaj, kreu i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë në sallë, e pas tyre sallën e lëshuan edhe deputetët tjerë të opozitës, ata të LDK-së e AAk-së.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se ky ishte vullneti i deputetëve.

VV-ja, mosmbështetjen e formimit të komisionit e ka arsyetuar me siç tha deputetja Mimoza Kusari-Lila, “të pavërtetat e thënë nga opozita në sallë në lidhje me menaxhimin e krizës së energjisë”.

Para largimit nga seanca, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se komisioni do të formohet patjetër nëpërmjet 40 nënshkrimeve të deputetëve.

Sipas tij, kundërshtimi i pushtetit për mosformim është ndër arsyet pse ky komision duhet të ekzistojë.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, me pyetjen pse pushteti pse po heziton ta bëjë këtë, “ngriti dyshime”. që sipas tij duhet të sqarohen.

Para votimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se themelimi i një komisioni për hetimin e situatës së energjisë elektrike, vetëm do t’ia merrte kohën Qeverisë në përmbushjen e programit.

Ai tha para deputetëve se nëse Kuvendit i interesojnë keqpërdorimet, duhet të kthehet në vitin 2008, ku tha se ishin shpenzuar 210 milionë euro për një kredi ndaj KEK-ut.

“Filloni nga privatizimi i KEK-ut. Frika ime është humbja e kohës se e vërteta është e bardhë si bora”, tha Murati.

Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca u mbyll, për të vazhduar të enjten (31 mars) në orën 10:00.