Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, prin larg në garën si kandidati më i votuar për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të dhënave të procesuara nga rreth 40 për qind e vendvotimeve. Kurti ka marrë mbi 136 mijë vota, deri tash.
Sipas të dhënave publike, i dyti kandidat më i votuar nga të gjitha partitë është dyshi i VV-së, Glauk Konjufca. Ai ka marrë më shumë se 106 mijë vota. E në top dhjetë kandidatët më të votuar hyn vetëm një nga partitë tjera.
I treti është Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës. Hamza i ka marrë 61 mijë vota deri tash.
Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje është kandidatja e katërt më e votuar nga të gjitha partitë. Ajo ka marrë 55 mijë e 587 vota.
Hekuran Murati është i pesti me pak mbi 55 mijë vota.
Top-dhjetëshen e kompletojnë Donika Gërvalla-Schwarz, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Avni Dehari e Mimoza Kusari-Lila, që si e dhjeta i ka marrë 34 mijë vota deri tash.
Jashtë listës së top-10 kandidatëve më të votuar, sipas të dhënave të deritashme, kanë mbetur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Abdixhiku i ka marrë 30 mijë e Haradinaj 15 mijë.








