Nxitur nga Bashkimi Evropian, Apple mund të pranojë dyqanet alternative të aplikacioneve në platformat e saj

Apple ka lobuar kundër instalimit të aplikacioneve nga burime të jashtme duke i konsideruar një rrezik të madh sigurie dhe privatësie. Nëse Apple do të veprojë njëlloj edhe në SHBA mbetet për tu parë.

Apple po përgatitet të lejojë dyqanet alternative të aplikacioneve në iPhone dhe iPad si pjesë e një nisme që synon përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian në 2024.

Lëvizja vjen në përgjigje të ligjeve Evropiane të cilat kërkojnë ti hapin rrugë zhvilluesve të aplikacioneve dhe shërbimeve të palëve të treta duke përmirësuar jetët dixhitale të konsumatorëve.

Prej vitesh rregullatorët dhe krijuesit e softuerit janë ankuar për Apple dhe Google të cilët kanë dy dyqanet më të mëdha të aplikacioneve në botë mbi të cilat ushtrojnë një pushtet absolut.

Nëse ligje të ngjashme aplikohen edhe në vende të tjera, projekti i Apple mund të shërbejë si bazë për tu implementuar edhe në rajone të tjera të botës. Por ndryshimet e parashikuara janë dizajnuar për të hyrë në fuqi vetëm në Evropë momentalisht.

Ligji që mësohet të ketë detyruar Apple të veprojë është Akti i Tregjeve Dixhitale i cili hyn në fuqi vitin e ardhshëm ndërsa shumë kompani nuk janë ende gati të përmbushin të gjitha kriteret e tij.

Vende të tjera si SHBA-ja kanë bëri thirrje për ligje të ngjashme por asnjë nuk ka shkuar aq larg sa Evropa. Akti kërkon që kompanitë teknologjike të lejojnë instalimin e aplikacioneve të palëve të treta.

Rregullat Evropiane kërkojnë që shërbimet e komunikimit të ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe zhvilluesit e aplikacioneve të jashtme të kenë akses të barabartë në funksionet kyçe të platformave të Apple.

Ligjet aplikohen mbi kompanitë teknologjike të cilat kanë një vlerë tregu prej të paktën 75 miliardë euro ose minimalisht 45 milionë përdorues në muaj në Bashkimin Evropian.

Ndryshimet brenda Apple po udhëhiqen nga Andreas Wendker, një inxhinier me përvojë që shërben si zëvendës president i këtij divizioni.

Apple ka alokuar sasi të konsiderueshme burimesh për këtë nismë. Brenda Apple nuk ka qenë asnjëherë një iniciativë e pëlqyer duke konsideruar pozicionin prej vitesh të gjigantit të iPhone, atë të kundërshtimit hapur të instalimit të aplikacioneve nga burime të jashtme.

Duke lobuar kundër ligjeve të reja Evropiane, Apple ka argumentuar se instalimi i aplikacioneve nga burime të jashtme mund të vërë pajisjet e konsumatorëve në rrezik dhe të cenojë privatësinë e tyre.

Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi nga viti i ardhshëm me iOS 17 dhe që do të ishte brenda afateve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Epic Games, krijuesi i lojës Fortnite, nisi një betejë ligjore me Apple lidhur me tarifat e App Store. Pasi Epic kërkoi të anashkalonte komisionet e Apple me Fortnite duke përdorur një sistem të jashtëm pagesash, Apple e hoqi lojën nga App Store. Epic e akuzoi Apple për praktika monopolistike por një gjykatë Amerikane tha se prodhuesi i iPhone nuk ka shkelur asnjë ligj federal konkurrence.

Për të mbrojtur përdoruesit nga aplikacionet e pasigurta, Apple është duke diskutuar idenë e aplikimit të disa masave të sigurisë edhe mbi softuerin që shpërndahet jashtë dyqanit të saj të aplikacioneve. Aplikacione të tilla mund të kenë nevojë të verifikohen nga Apple, një proces që mund të ketë një tarifë. Brenda App Store Apple merr mes 15 deri në 30% komision.

Apple nuk ka marrë një vendim final nëse do të përmbush një kriter të Aktit për Tregjet Dixhitale, të lejimit të zhvilluesve të instalojnë sisteme pagesash të palëve të treta në aplikacionet e tyre. E thënë ndryshe përdoruesit mund të blejnë përmbajtje brenda aplikacioneve pa përfshirë Apple.

Si pjesë e një marrëveshjeje me qeverinë Japoneze, kompania ka lejuar disa aplikacione cloud dhe media lokale të dërgojnë përdoruesit në ueb për të përfunduar transaksionin. Por Akti i Tregjeve Dixhitale kërkon që Apple dhe gjigantët e teknologjisë të shkojnë më tutje.

Apple gjithashtu po punon për të hapur disa prej API-ve të saj private për aplikacionet e palëve të treta. Aktualisht shfletuesve të palëve të treta, përfshirë Chrome, ju kërkohet të përdorin WebKit, motorin e shfletimit të Apple Safari. Sipas planit, Apple po konsideron ta heqë këtë kërkesë.

Një tjetër drejtim që Apple është duke diskutuar është ai i hapjes së funksionaliteteve të tjera për aplikacionet të palëve të treta, përfshirë teknologjitë e kamerave apo çipet e komunikimit të afërt(NFC), por në mënyrë të kufizuar. Aktualisht vetëm aplikacionet Wallet dhe Apple Pay mund të përdorin çipin NFC për funksionalitetet e tyre. Kompania është përballur me presione nga aplikacionet financiare të palëve të treta tu lejuar të njëjtat teknologji.

Nga ana tjetër nuk ka marrë vendim për të hapur iMessage dhe aplikacionin e saj Messages për shërbimet e palëve të treta, një tjetër kërkesë e Aktit të Tregjeve Dixhitale. Inxhinierët besojnë se një ndryshim i tillë mund të dëmtojë enkriptimin fundor dhe privatësinë e ofruar nga iMessage. Apple ka refuzuar integrimin e RCS, një protokoll komunikimi që Google dhe të tjerët kërkojnë nga prodhuesi i iPhone ta adoptojë.

Apple po diskuton hapjen e rrjetit Find My për aksesorët si Tile të cilët konkurrojnë me AirTag. Me Find My, AirTag mund të ofrojë vendndodhjen duke përdorur sinjalet e pajisjeve Apple përreth.

Bashkimi Evropian, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën, ka kërcënuar me gjobë prej 20% të të ardhurave vjetore nëse shkelin ligjin mënyrë të përsëritur. Apple gjeneron 400 miliardë dollarë të ardhura në vit që do ta vendoste kompaninë përballë një gjobe 80 miliardë dollarë.

Apple gjeneroi afro 95 miliardë dollarë të ardhura në Evropë përfshirë Bashkimin Evropian dhe Britaninë gjatë vitit 2022. Këto të ardhura do të marrin një goditje kur të bëjë ndryshime e planifikuara sepse App Store nuk do të jetë aq fitimprurës.

Në tërësi Apple duhet të jetë e aftë të absorbojë impaktin financiar të tyre. App Store gjeneron 6% të të ardhurave të përgjithshme dhe kontributi i Evropës në këtë drejtim është vetëm 2%.

Nuk do të ishte hera e parë që Apple bën ndryshime të tilla madhore për t’ju bindur ligjeve lokale. Kompania po planifikon të përdor kontektorin USB-C për iPhone e ardhshëm në 2023 në vend të postë Lightining për të qenë në përputhje me rregulloren e re Evropiane. Në Kinë kompania ka pranuar të tërhiqet prej disa qëndrimeve të saj nga përdorimi i një ofruesi lokal për të dhënat e iCloud tek modifikimi i AirDrop që protestuesit të mos ndajnë informacione me njëri-tjetrin. /PCWorld Albanian