OBSH: Herët për të hequr masat mbrojtëse kundër koronavirusit

Maria Van Kerkhove

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se është shumë herët për të hequr masat mbrojtëse kundër koronavirusit, duke pasur parasysh rritjen e numrit të rasteve.

“Masat përfshijnë mbajtjen e maskave dhe ruajtjen e distancës sociale. Heqja e tyre tani do t’i lejonte virusit më shumë mundësi për të qarkulluar”, deklaroi sot në Gjenevë specialistja e OBSH-së për Covid-19, Maria Van Kerkhove.

Gjithashtu, ajo tha se ka pasur një rënie të testimeve në të gjithë botën, gjë që e bën më të vështirë monitorimin e përhapjes së varianteve te koronavirusit.

OBSH-ja nuk komenton kurrë politikat e menaxhimit të koronavirusit të vendeve individuale. Ajo vetëm u bën thirrje qeverive që të analizojnë vazhdimisht situatën në vendin e tyre dhe të marrin masa të përshtatura me shkallën e rrezikut.

Van Kerkhove paralajmëroi se pandemia nuk ka mbaruar ende, dhe se varianti Omicron vazhdon të jetë i rrezikshëm.

Numri i infeksioneve javore të raportuara në mbarë botën u rrit në javën e dytë të marsit për herë të parë që nga fundi i janarit. OBSH-ja raportoi 8% më shumë infeksione me Covid-19 se një javë më parë, ku u regjistruan 43 000 vdekje për 11 milionë banorë. /atsh