Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi lidhur me rritjen e shpejtë të një varianti të ri të virusit H3N2, i njohur si “gripi që ka shënuar mutacion”, transmeton Anadolu.
Ghebreyesus e bëri këtë deklaratë në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X.
Ai thotë se sezoni vjetor i gripit është aktualisht duke u zhvilluar në hemisferën veriore. “Edhe pse nivelet globale të aktivitetit të gripit janë brenda intervalit normal, që nga gushti OBSH në shumë vende ka vërejtur rritje të shpejtë në viruset e emërtuar si ‘nënklasa K’ e virusit H3N2 influenza. Edhe pse të dhënat nuk tregojnë rritje të ashpërsisë së sëmundjes, ato tregojnë për një mutacion të rëndësishëm në këtë nënklasë të viruseve H3N2”, tha Ghebreyesus.
Sipas tij, vaksinat janë jetike, veçanërisht për personat me rrezik të lartë të ndërlikimeve të gripit dhe ata që kujdesen për ta.
Profesori i asociuar dr. Muhammed Emin Demirkol, drejtor i përgjithshëm i Shëndetit Publik në Ministrinë turke të Shëndetësisë tha se virusi i gripit H3N2 që përhapet në Evropë nuk përbën ndonjë rrezik për Turqinë. “Ky është një variant i pritur natyrshëm. Virusi influenza vjen çdo dit duke pësuar mutacion”, tha ai.





