Përhapja e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka tejkaluar 1.000 raste të konfirmuara në muajin e parë, duke e bërë atë “epideminë më të madhe” të Ebolës në historinë e vendit në atë fazë të një shpërthimi, u tha sot gazetarëve në Gjenevë, një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), transmeton Anadolu.
“Që nga e hëna, RD e Kongos ka regjistruar 1.048 raste të konfirmuara, përfshirë 267 vdekje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të vendit”, tha drejtori i operacioneve të alarmit dhe reagimit të urgjencës shëndetësore të OBSH-së, Abdi Mahamud.
“Që kur ju informova për herë të fundit më 9 qershor nga Bunia, shpërthimi vazhdon të zgjerohet”, tha Mahamud.
Pas një misioni njëmujor në RD të Kongos, Mahamud tha se modelet e transmetimit ndryshojnë në zonat e prekura shëndetësore, me disa zona që shohin tendenca të qëndrueshme ndërsa të tjerat po përjetojnë rritje të ndjeshme të rasteve.
Ai tha se reagimi po zgjerohet për t‘iu përshtatur shpërthimit në rritje. Kapaciteti i trajtimit është rritur nga vetëm një numër i vogël shtretërish në më shumë se 500 shtretër në 19 qendra shëndetësore gjatë dy javëve të fundit.
Ndërkohë, kapaciteti i testimit laboratorik është rritur gjithashtu në mënyrë dramatike, nga 30 teste në ditë muajin e kaluar në më shumë se 2.000 në ditë përmes tetë laboratorëve të decentralizuar në provincat Ituri, Kivun Veriore dhe Kivun Jugore.
Megjithatë, Mahamud paralajmëroi se qendrat e trajtimit janë nën presion, me 84 për qind të shtretërve të disponueshëm aktualisht të zënë. Duke e quajtur shpërthimin “sfidues dhe kompleks”, ai tha se OBSH-ja po bën apel për 115 milionë dollarë për të ndihmuar në ngadalësimin dhe përfundimisht ndalimin e transmetimit.
Ai theksoi se Uganda fqinje ka raportuar rastin e saj të 20-të të konfirmuar të Ebolës të lidhur me shpërthimin e vazhdueshëm në RD të Kongos.







