Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi të martën se spitali Al-Amal në Khan Younis të Rripit të Gazës ka dalë jashtë shërbimit, si pasojë e përshkallëzimit të luftimeve në zonën përreth.
“Në spitalin Al-Amal nuk ka më qasje për pacientët. Shumë persona po humbin jetën për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor që mund të shmangej,” shkroi Ghebreyesus në rrjetin social X (ish-Twitter).
Ai theksoi se spitali ka ende pacientë brenda që kanë nevojë për trajtim, por nuk mund të pranojë më të rinj, për shkak të rrezikut dhe bllokimit të hyrjes.
Pas mbylljes së Al-Amal, kompleksi mjekësor Nasser mbetet i vetmi spital në Khan Younis që ka repart të kujdesit intensiv (ICU).
Drejtori i OBSH-së përsëriti thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm, mbrojtjen e objekteve shëndetësore dhe qasje të papenguar për furnizimet mjekësore jetike në Gaza. /mesazhi





