OJQ-të në Danimarkë do të ngrenë padi kundër qeverisë për ndalimin e eksportit të armëve për Izraelin

Organizatat joqeveritare (OJQ) në Danimarkë po përgatiten të ngrenë padi për ndalimin e eksportit të armëve për Izraelin me arsyen se armët dhe pajisjet ushtarake të vendit përdoren kundër civilëve në Gaza, transmeton Anadolu.

Në Danimarkë organizatat e shoqërisë civile Amnesty International, Oxfam Denmark, “Al-Haq” dhe Mellemfolkeligt Samvirke kanë bërë një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratë thuhet se OJQ-të do të ngrenë padi kundër Ministrisë së Jashtme dhe policisë kombëtare të Danimarkës.

Sekretarja e përgjithshme e “Amnesty International” për Danimarkën, Vibe Klarup tha se kanë dokumentuar bombardimet në të cilat Izraeli ka shkatërruar shumë familje në Gaza pa bërë dallim nëse janë ushtarë apo civilë.

“Sulmet e Izraelit kanë shkelur rregullat ndërkombëtare të luftës. Danimarka nuk duhet të kontribuojë në këto sulme të paligjshme kundër civilëve”, tha Klarup.

Organizata “Amnesty International” njoftoi se Danimarka shkeli rezolutat dhe ligjin humanitar në lidhje me tregtinë e armëve.

Sekretari i përgjithshëm i Mellemfolkeligt Samvirke, Tim Whyte tha se “Po flasim për mundësinë se në Gaza është kryer gjenocid. Por, nuk jemi dëshmitarë ende se politikanët kanë kaluar në veprim. Danimarka nuk duhet t’i dërgojë armë Izraelit ndërkohë që ka dyshime se ai është përfshirë në gjenocidin në Gaza”.